Pacolli: Kosova dhe Madagaskari së shpejti vendosin marrëdhënie diplomatike
Republika e Kosovës dhe Republika e Madagaskarit shumë shpejt do të vendosin marrëdhënie diplomatike, avancim ky më i lartë i përfaqësimit diplomatik në të dyja vendet respektive dhe do të organizojnë një Forum Ekonomik në mes dy vendeve.
Ky ishte dakordimi i përbashkët në mes kryediplomatit të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, dhe homologut të tij të Madagaskarit, Dovo Eloi Maxime, pas një takimi zyrtar, që është zhvilluar në margjina të punimeve vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“U dakorduam për vendosjen e shpejtë të marrëdhënieve diplomatike që hapë rrugën e themelimit të Ambasadave, organizimin e një Forumi Ekonomik dhe bashkëpunim dy dhe shumë palësh. Do të jemi bashkë në Organizatën e Frankofonisë dhe Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit, në javët e ardhshme”, ka thënë Pacolli.
Gjatë këtij takimi, Pacolli e ka falënderuar homologun e tij edhe për njohjen që kishte bërë shteti i Madagaskarit në një moment shumë të rëndësishëm.
“I thashë se njohja nga vendi juaj erdhi në një moment të rëndësishëm dhe ne ju falënderojmë”, ka thënë Pacolli.
Ndërsa, ministri i Jashtëm i Madagaskarit, Dovo Eloi Maxime, ka thënë se “me njohjen e Kosovës, ne thjeshtë kemi bërë atë që duhej, duke njohur luftën e saj për liri dhe pavarësi”.
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka takuar nënsekretaren e Përgjithshme të OKB-së, Rosemary DiCarlo, të cilës i ka thënë se Rezoluta 1244 nuk ka më asnjë vlerë.
“Me nënsekretaren e Përgjithshme të OKB-së për Çështje Politike, ambasadoren Rosemary Dicarlo pata një takim pune, gjatë të cilit e informova për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe i ofrova vizionin tonë për marrëdhënien e Kosovës me OKB-në. I thashë se UNMIK-u ka luajtur rol pozitiv, por tani që rezoluta 1244 nuk ka më asnjë vlerë dhe Kosova është një vend me një klimë ndër-etnike shumë të qetë, do duhet të transformohet në shtëpinë e përbashkët të misioneve të OKB-së në Kosovë”, ka thënë Pacolli.
/Epoka e re/