Pacolli: Kosova është gati për t’u bërë pjesë e OKB-së
Në fjalën e tij para pjesëmarrësve të nivelit të lartë të Forumit në Crans Montana në Gjenevë, ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosova është gati për t’u bërë pjesë e OKB-së me rolin e saj konstruktiv në rajon prej 20 vjetësh që ka fituar lirinë e saj.
Pacolli ka theksuar se Kosova nuk ka lidhje me Kataloninë, pasi sipas tij Kosova ka dalë nga një periudhë e gjatë represioni kolonial, i cili kulmoi me gjenocid në vitin 1999.
“Gjatë fjalimit e njoha audiencën me të arriturat e vendit tonë nga shpallja e pavarësisë, njohur ndërkombëtarisht nga 116 shtete, ashtu dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Ftova miqtë afrikanë që ende nuk e kanë bërë – të njohin Kosovën dhe të vendosin me ne marrëdhënie bashkëpunimi në të gjitha fushat, madje dhe në atë universitare”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shtuar se Forumi i Crans Montanës, këtë vit me iniciativën e Kosovës do të zhvillohet në Prishtinë.
“Duke e shndërruar Kosovën në një adresë globale të paqes dhe dialogut mes akterëve të ndryshëm shtetërorë apo socialë anembanë botës”, ka thënë Pacolli.
/Epoka e re/