Aprovohet kërkesa e Republikës së Kosovës për avancim të statusit në Frankofoni
Në sesionin ministror të 84 vendeve anëtare të kësaj organizate, u konfirmua kërkesa e Kosovës për avancimin e statusit të Kosovës, nga anëtar vëzhgues në atë të asocuar, që është status i rangut të lartë.
Lajmin e ka bërë me dije zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.
“Ditën e enjte pritet vetëm konfirmimi”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Në fjalën time përpara ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të Organizatës së Frankofonisë shpreha përkushtimin dhe vullnetin e Republikës së Kosovës për të avancuar statusin tonë në këtë organizatë të rëndësishme. Jam optimist që në mbyllje të samitit, Kosova do të marrë statusin e anëtarit të asocuar dhe do të vazhdojë faktorizimin e vet”, ka shkruar ministri Pacolli.
Ai ka bërë me dije se vendeve anëtare të frankofonisë u ka kërkuar mbështetjen dhe i ka falënderuar për konstruktivitetin e trajtimit të çështjes së Kosovës.
“Kosova do të marrë vendin e merituar për të dhënë kontributin e vet në paqen dhe stabilitetin rajonal e botëror”, është shprehur Pacolli.
/Epoka e re/