Pacolli: Kosova nuk do të bisedojë kurrë me Serbinë për shkëmbim territoresh
07 prill 2018
| 21:11
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosova nuk do të bisedojë kurrë me Serbinë për një mundësi të shkëmbimit të territoreve apo të ndarjes dhe sipas tij mes dy vendeve duhet të ketë normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke.
Këtë gjë Pacolli e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në llogarinë e tij “Twitter”.
“Kosova nuk ka biseduar dhe nuk do të bisedojë kurrë me Serbinë për shkëmbim të territoreve apo për ide ndarjeje që mbeten në mendjet e politikanëve në Beograd që nga vitet e 1990-ta”, ka shkruar Pacolli.
“Ejani në tryezë dhe të bisedojmë për marrëveshjen e detyrueshme ligjore për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke”, ka shtuar ai.