Pacolli: Kosova po zhvillon një diplomaci proaktive
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, e ka cilësuar Konferencën e Pestë të Ambasadorëve e cila u mbajt dy ditë radhazi, si ngjarjen më të rëndësishme vendore ku u shpalos vizioni dhe strategjia mbi Politikën e Jashtme.
“Me pjesëmarrjen e lidershipit më të lartë vendor, parlamentarëve, ministrave, ekspertëve me nam të huaj e vendorë, Ambasadorëve të Republikës së Kosovës të akredituar jashtë dhe Korit diplomatik të akredituar në Kosovë u reflektua mbi të gjitha temat e interesit nacional të vendit dhe drejtimin e Politikës së Jashtme”, ka shkruar Pacolli në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas Pacollit, Kosova po zhvillon një diplomaci pro-aktive, e cila me gjithë vështirësitë dhe pengesat e pamëshirshme të krijuara nga kundërshtarët e shtetit të ri, ajo po jep rezultate të prekshme.
“Kosova po zhvillon një diplomaci proaktive, e cila me gjithë vështirësitë dhe pengesat e pamëshirërshme të krijuara nga kundërshtarët e shtetit të ri po jep rezultate të prekshme. Falenderojë stafin e Ministrisë për organizimin profesional të konferencës, Ambasadorët tanë që morën pjesë dhe dhanë kontributin e tyre si dhe të gjithë panelistët dhe mysafirët e tjerë”, ka shkruar Pacolli.