Pacolli: Kosova së shpejti aplikon për anëtarësim në Këshillin e Evropës
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka takuar sot Grupin Punues për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Pacolli ka thënë se Kosova do të aplikojë brenda një periudhe të shkurtër, pa e përmendur se kur do të ndodhë kjo.
“Duke marrë parasysh procedurat e aplikimit në organizatën kryesore të kontinentit për të drejtat e njeriut, ne presim që Kosova të jetë anëtare e plotë dhe shteti i 48-të i Këshillit të Evropës deri në vitin 2020. Na priftë e mbara”, ka thënë Pacolli.
Ai ka thënë se detyrat dhe përgjegjësitë e grupit kanë të bëjnë me përgatitjet dhe koordinimin e këtij procesi. “Këtë grup profesionist, që përfshinë diplomatë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ekspertë nga shoqëria Civile e kam themeluar më herët, në mbështetje të prioritetit tim strategjik për anëtarësim të vendit tonë në Organizata Ndërkombëtare. Besoj, që tash është momenti i duhur, që Kosova t’i fillojë përgatitjet dhe të lëvizë përpara. Nuk kemi kohë për të humbur”, ka thënë Pacolli.