Pacolli: Kosova s’mund ta refuzojë kërkesën e ShBA-së për heqjen e taksës
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, njëherësh ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se Kosova nuk mund ta refuzojë kërkesën e ShBA-së për ta hequr taksën ndaj mallrave serbe.
Në një intervistë për RTK-në, Pacolli ka thënë se do të bisedojë me kryeministrin Ramush Haradinaj për mundësinë e përgjigjes pozitive ndaj ShBA-së.
Duke folur për diplomacinë e Kosovës, ministri Pacolli ka shprehur keqardhje që puna e tij është vështirësuar për shkak të mungesës së unitetit nga zyrtarët shtetërorë.
Ai ka pranuar se qëndrimet e ndryshme të presidentit dhe kryeministrit në lidhje me dialogun me Serbinë krijojnë paqartësi.
Pacolli ka deklaruar se në dialogun me Serbinë, Kosova mund të bëjë disa kompromise, të cilat sipas tij “do të ndodhin në kuadër të demarkacionit me Serbinë”.
Pacolli është shprehur optimist që opozita në Kosovë do t’i bashkohet ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë.