Pacolli: Kosovën do ta vizitojnë shefat e shteteve që Serbia thoshte se i tërhoqën njohjet
23 prill 2019
| 13:02
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka bërë me dije se Kosova do të vizitohet nga përfaqësuesit e shteteve, për të cilat Serbia ka thënë se e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Shumë shpejt Kosovën do ta vizitojnë shefat e shteteve, për të cilët Serbia ka thënë se e kanë tërhequr njohjen e Kosovës”, ka thënë Pacolli.
Serbia vazhdimisht ka bërë presion me lajme për tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga disa shtete, kryesisht të vogla.
Mbi 10 shtete është raportuar se e kanë tërhequr njohjen si: Madagaskari, Ishujt Solomone, Lesoto, Surinami, Grenada, Komoret, Burundi, Dominika, Sao Tome, Principe, Liberia, Guineja Bisao, Papua Guinea e Re.