Pacolli: Luksemburgu mbetet aleat i rëndësishëm për Kosovën
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur sot në takim ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Paul Schmit, me të cilin ka diskutuar për përkrahjen e procesit të integrimit.
Me këtë rast ministri Pacolli ka çmuar rolin e Luksemburgut në përkrahjen dhe donacionet për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, duke shtuar se reformat dhe fuqizimi i administratës dhe asistenca për zbatimin e MSA-së, janë pikat e forta të kësaj përkrahjeje.
Po ashtu, ministri ka falënderuar ambasadorin Schmit për vazhdimin e mbështetjes së Luksemburgut në synimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.
“Me përkrahjen tuaj dhe me angazhimin tonë ne besojmë fuqishëm dhe presim që së shpejti të bëhemi aleat i juaji i fortë në BE, NATO dhe në aleancat e tjera demokratike”, është shprehur Pacolli.
Ndërsa ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Paul Schmit, ka theksuar rëndësinë e zbatimit të MSA-së si dhe reformën gjithëpërfshirëse e cila rezulton jo vetëm me liberalizimin e vizave, por edhe me proceset tjera integruese si anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si dhe procesin euroatlantik.
/Epoka e re/