Pacolli: Malta vazhdon të qëndrojë përkrah Kosovës në udhëtimin tonë evropian
“Jam vërtetë i lumtur, që me ftesën time sot po e viziton vendin tonë në një vizitë zyrtare disa ditore, homologu dhe miku im nga Republika e Maltës, Carmelo Abela. Zhvilluam një takim shumë të këndshëm dhe shkëmbyem pikëpamjet mbi shumë çështje të interesit të përbashkët. Dy vendet tona gëzojnë një partneritet të qëndrueshëm dhe një miqësi të fortë”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Pacolli ka thënë se “Malta vazhdon të qëndrojë përkrah Kosovës në udhëtimin tonë evropian, duke qenë ndër shtetet më mbështetëse në BE, si për liberalizim të vizave ashtu dhe integrimin e Kosovës në BE”.
Ai ka thënë se Malta ka qenë dhe vazhdon të jetë e zëshme në mbështetje të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare.
“Malata është zëri ynë edhe aty ku ne nuk mund të jemi ende”, është shprehur ai.
“Jam i lumtur, që sot shkëmbyem Notën zyrtare për të vazhduar Kornizën e Bashkëpunimit në mes të dy MPJ-ve edhe për dy vite të tjera, për të thelluar më tej marrëdhëniet tona përmes konsultimeve politike, shkëmbimit të ekspertizave në integrimin evropian; përmes iniciativave kulturore, që dy popujt tonë ta njohin më mirë njëri tjetrin; trajnimin e diplomatëve të rinj; aktivitete në promovim të investimeve e të tregtisë etj”, ka thënë Pacolli.
Ministri Pacolli ka theksuar se po ashtu është i lumtur që sot e finalizuan edhe marrëveshjen dypalëshe për eliminimin e taksave të dyfishta.
“Marrëveshja e lartpërmendur do të ndihmojë drejtpërdrejt në hapjen e rrugëve për shkëmbimet tregtare midis Kosovës dhe Maltës dhe Ministria që udhëheq, do të bëjë të pamundurën në promovimin e shkëmbimeve me bizneset kosovare dhe agjencitë përkatëse shtetërore.
Unë jam i sigurt që kjo vizitë e Shkelqësisë së tij në Kosovë është një mundësi, që së bashku të eksplorojmë më tej mundësitë e reja për bashkëpunim në fusha të ndryshme me interes reciprok”, ka deklaruar Pacolli.
Ai ka shtuar se Kosova është shumë krenare dhe mbetet e përkushtuar ndaj partneritetit me Maltën dhe popullin e saj.