Pacolli: Marrëveshja politike SPD-CDU, e rëndësisë së veçantë për Kosovën
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes politike në mes Partisë Social Demokrate (SPD) dhe Partisë Kristian Demokrate (CDU), për formimin e Qeverisë së re, duke thënë se ajo është e rëndësisë së veçantë jo vetëm për stabilitetin politik në shtetin gjerman, atë të BE-së, Evropës Juglindore, por edhe për shtetin dhe qytetarët Kosovës.
Pacolli deklaroi se Kosova e sheh Gjermaninë si një shtet mik, aleat dhe partner dhe në këtë frymë do të vazhdojë bashkëpunimi edhe në të ardhmen. “Besoj, që do të kem një vizitë të shpejtë në Gjermani për t’i dhënë shtytje shtesë dhe sinergji të reja këtij partneriteti”, është shprehur Pacolli.
Pacolli përkujton se Kosova ka bashkëpunim të shkëlqyeshëm me shtetin gjerman në të gjitha fushat dhe pret shtimin dhe forcimin e mëtejmë me qeverinë e re gjermane. “Një urë lidhëse e fuqishme në marrëdhëniet në mes dy vendeve tona padyshim mbetet edhe diaspora jonë, e cila është e integruar mirë dhe mjaft aktive në jetën publike dhe institucionale”, ka thënë ai.