Pacolli mbështet vendimin e Haradinajt rreth vizitës së Vuçiqit në Drenicë
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, i ka dhënë mbështetje vendimit të shefit të tij, kryeministrit Ramush Haradinaj, për anulimin e vendimit që e lejonte vizitën e presidentit serb në rajonin e Drenicës.
Ai ka thënë se vendimi i kryeministrit për anulimin e vizitës së presidentit të Serbisë në Skenderaj është në funksion të ruajtjes së sigurisë në vendin tonë.
“Republika e Kosovës është shtet që si njërin ndër parimet themeltare ka lirinë e lëvizjes. Presidenti i Serbisë ka pasur leje për ta vizituar vendin tonë megjithatë, për ne është shumë e rëndësishme siguria e qytetarëve të Kosovës dhe gjithë atyre që vizitojnë vendin tonë. Vendimi i kryeministrit për anulimin e vizitës së presidentit të Serbisë në Skenderaj është në funksion të ruajtjes së sigurisë në vendin tonë”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/