Pacolli merr pjesë në konferencën e ministrave të Organizatës së Frankofonisë
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, është duke marrë pjesë në Konferencën e 38-të të ministrave të vendeve anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.
Në margjinat e kësaj konference janë paraparë të zhvillohen edhe shumë takime bilaterale në mes të ministrave të jashtëm të hapësirës frankofone.
Kosova është anëtarësuar për herë të parë në Frankofoni si anëtare vëzhguese në vitin 2014, ndërsa në tetor të vitit të kaluar i është ngritur statusi në anëtar të asociuar.
Që nga anëtarësimi i Kosovës si anëtar vëzhgues në vitin 2014 në Samitin e Frankofonisë në Dakar, Kosova ka bërë përpjekje të shumta për promovimin e gjuhës frënge dhe Frankofonisë.
Bashkëpunime të reja dhe të rëndësishme janë krijuar në nivel universitar, sidomos pas anëtarësimit të Universitetit të Prishtinës në Agjencinë Universitare Frankofone.
Më tutje, Kuvendi i Kosovës i është bashkuar vitin e kaluar Asamblesë Parlamentare Frankofone, gjë që do kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet deputetëve kosovarë dhe deputetëve të vendeve tjera frankofone në çështje të interesit të përbashkët për rajonin tonë, siç janë zhvillimi dhe promovimi i vlerave të demokracisë, paqes dhe diversitetit kulturor e linguistik.