Pacolli mirëpret ndryshimin e formatit të raportimit mbi Kosovën në KS të OKB-së
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka mirëpritur dhe përshëndetur marrjen e Kryesimit të Presidencës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nga Mbretëria e Bashkuar dhe miratimin e agjendës së re të kryesimit britanik, e cila nuk parasheh raportimin e rregullt tre-mujor të UNMIK-ut, duke krijuar një realitet të ri.
“Mirëpres dhe përshëndes marrjen e kryesimit të Këshillit të Sigurimit nga ana e Mbretërisë së Bashkuar. Mospërfshirja e raportimit mbi Kosovën në agjendën për Muajin Gusht është një sukses për Kosovën dhe shtetet aleate dhe partnere të saj. Ne, për shumë kohë kemi kërkuar, që të ndryshohet formati tre-mujor i raportimit. Ky është edhe një mesazh i qartë për njohjen e arritjeve dhe zhvillimeve të gjithmbarëshme pozitive në Kosovë. Këshilli i Sigurimit gradualisht po e njeh realitetin e ri të krijuar në Kosovë dhe është koha, që Kosova të bëhet anëtare e plotë dhe e barabartë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, ka thënë kryediplomati kosovar, Pacolli.