Pacolli: NATO i dha shpresë jetës në Kosovë
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka kujtuar 24 marsin e vitit 1999, duke thënë se me intervenimin e saj në Kosovë, NATO-ja i dha frymë lirisë dhe shpresë jetës.
Pacolli pëfmes një postimi në profilin e vet në “Facebook”, ka thënë se ndërhyrja humanitare e Aleancës Veri-Atlantike të NATO-s në Kosovë, më 24 Mars, 1999 për të ndaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin ndaj popullit të Kosovës nga forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe ishte njëra nga të arriturat më të mëdha të kësaj organizate në gati 70 vjet të ekzistencës së tyre.
“Ajo i ndihmoi rendit dhe rregullit ndërkombëtar për zhvillimin e parimit themeltar të përgjegjësisë për të mbrojtur dhe ishte një mesazh i fuqishëm se diktatorët nuk mund të fshihen prapa sovranitetit për të kryer krime lufte. Me intervenimin e saj në Kosovë, NATO-ja i dha frymë lirisë dhe shpresë jetës”, ka shkruar Pacolli.