Pacolli: Ndërkombëtarët nuk e mbajtën shtetin serb përgjegjës për krimet në Kosovë
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se kryerësit e krimeve të luftës në Kosovë shëtisin ende në liri.
Sipas Pacollit, kjo nuk do të ndodhte, sikur komuniteti ndërkombëtar të mbante shtetin serb përgjegjës për krimet në Kosovë.
“E keqja më e madhe ndaj njerëzimit dhe botës perëndimore, është se këta kriminelë shëtisin ende në liri. Kjo nuk do të ndodhte, sikur komuniteti ndërkombëtar të mbante shtetin serb përgjegjës për krimet në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë e Kosovë”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i tij:
Kriminelët monstruoz, ushtarë, paramilitarë, civil serb, bënin aktet më çnjerëzore ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Ata nuk mjaftoheshin me shfrenimin shtazarak në kryerjen e akteve kriminale, por detyronin që aktet e tyre të dëshmoheshin nga familjarët më të afërt të viktimave.
Çmenduria e tyre shkonte deri aty që kriminelët siguroheshin që monstruoziteti i tyre të ruhej me pamje e zë.
Duke dashur të na dehumanizojnë, këta kriminelë dëshmuan që janë monstrumë e monstrouz.
E keqja më e madhe ndaj njerëzimit dhe botës perëndimore, është se këta kriminelë shëtisin ende në liri.
Kjo nuk do të ndodhte, sikur komuniteti ndërkombëtar të mbante shtetin serb përgjegjës për krimet në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë e Kosovë.
/Epoka e re/