Pacolli në Emirate të Bashkuara Arabe, flet për shtetndërtimin dhe ndërlikimet në diplomaci
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka nisur vizitën e tij dyditore në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në ditën e parë të vizitës së tij, ministri Pacolli ka mbajtur një fjalim në konferencën e organizuar nga Instituti Ndërkombëtar për Diplomacinë Kulturore (IICD), me temën “The New Nexus – Diplomacy, Security and Digital Nation State”, ngjarje kjo, që ka bashkuar shumë ministra e akademikë nga shtete të ndryshme të botës.
Ministri i Jashtëm Pacolli, si njëri nga panelistët kryesor të konferencës ka referuar mbi temën e procesit të shtetndërtimit dhe ndërlikimet në diplomaci.
Pas konferencës dhe interesimit të shprehur nga mediat, që mbulonin këtë aktivitet, ministri Pacolli, së bashku edhe me panelistët e tjerë mbajtën edhe një konferencë për media.
Ministri i Jashtëm Pacolli, vizitën zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe e vazhdon edhe nesër, ku do të pritet në takime nga përfaqësues të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Samiti i Interpol-it, nismat për marrëveshjet bilaterale, thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe hapja e Ambasadës së Kosovës në Abu Dhabi janë disa nga temat kryesore, që pritet të diskutohen në kuadër të këtyre takimeve respektive.