Pacolli në Greqi: Mos e harroni Kosovën
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, në ministralin e Procesit të Vishegradit, që po mbahet në Greqi, në fjalimin e tij citohet t’u ketë thënë homologëve në takim “Mos e harroni Kosovën”, duke ua kujtuar lidhjet e forta të Kosovës me Evropën.
“Mos e harroni Kosovën. Kosova është krijesë e Bashkimit Evropian dhe ne jemi pjesë natyrale e Europës. Baballarët që udhëtonin me hekurudhë përgjatë Europës 50 vjet më parë e kanë të vështirë t’i shpjegojnë fëmijëve të tyre sot pse ata nuk mund të udhëtojnë”, citohet t’u ketë thënë ministri i jashtëm Pacolli, homologëve të tij nga Bashkimi Evropian, të mbledhur në Greqi.
Pacolli përmes një njoftimi në “Facebook”, thotë se thotë se gjatë qëndrimit të tij në Sunion të Greqisë kaloi shumë kohë me nikoqirin grek, Nikos Kotzias me të cillin janë dakorduar që shumë shpejt Zyra e Kosovës të çelet në Athinë.
“Shpreha keqardhjen që në një aktivitet kaq të rëndësishëm ku kishte disa zëvendëskryeministra dhe ministra të jashtëm si ai i Çekisë, Polonisë, Kroacisë, Greqisë, Hungarisë, Bosnjës, Maqedonisë, etj, Serbia nuk ishte e pranishme, me gjasë shkaku i pranisë sime dhe Kosovës si e barabartë”.
“Ministri Kotzias na bëri mua dhe kolegëve për një pjesë të kohës ciceronin në një vizitë që bëmë në Tempullin e Poseidonit, një dëshmi impozante e qytetërimit të Greqisë së Lashtë”, ka shkruar Pacolli.