Pacolli: Në Mal të Zi kanë politikë miradije në raport me Kosovën
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovë, Behgjet Pacolli, ka thënë në “Zona B” të “Klan Kosovës” se është takuar me të gjithë liderët e Malit të Zi dhe atje ka një politikë mirëkuptuese në raport me Kosovën, përkundër problemeve rreth Demarkacionit.
“Jam takuar me të gjithë faktorët dhe prijësit e institucioneve të Malit të Zi. Ata kanë politikë miradije në raport me ne”, ka thënë Pacolli.
Pacolli ka shtuar se çështja e Demarkacionit dhe ajo e Gjykatës Speciale janë dy tema të cilat janë në tavolinë të bisedimeve me çdo takim dypalësh e shumëpalësh.
“Përgjegjësia ime është ta mbrojë politikën e shteti tim, por jam pak i lodhur se duhet të harxhojë pjesën më të madhe të kohës duke shpjeguar se është një gjë e rëndomtë, një gjë që është dashur të ndodhë dhe se si kjo ka mbetur në duart e kryeministrit të tanishëm. Por, do të doja që këto dy tema të hiqeshin nga tavolinat e bisedimeve, pasi koha e harxhuar me këto tema është kohë e vlefshme”, ka deklaruar ai.
Pacolli ka shtuar se gjithçka bëhet edhe më e vështirë kur ai pyetet për mendimin e tij personal rreth çështjes së Demarkacionit.
“Mendimi im i lirë vështirë e përfaqëson një pjesë të mendimit të politikës së qeverisë”, ka thënë ai.
Ministri i Jashtëm ka folur edhe për udhëtimin e tij në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kosova është realitet në Iowa në të gjitha poret e jetës. Kam pasur takim me presidentin e këtij shteti, guvernatorin. Kisha takim edhe me liderë të tjerë të Iowas. Jam ndjerë krenar që u realizua edhe një seancë e veçantë me rastin e vizitës time”, shtoi ai.