Pacolli në OKB, lobon për rritjen e numrit të njohjeve

27 shtator 2018 | 17:39

Me qëllimin e lobimit sistematik për rritjen e numrit të njohjeve të Republikës së Kosovës dhe sigurimin e një mbështetje të fuqishme për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare, kryediplomati Behgjet Pacolli, ka vazhduar të enjten realizimin e takimeve të shumta të nivelit të lartë në margjina të punimeve të rregullta të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

“UNGA, ose punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me praninë e 130 krerëve të shteteve dhe qeverive, është një rast i jashtëzakonshëm për një vend si Kosova të tregojë ekzistencën e vet, punën dhe të arriturat e veta!”, ka vlerësuar Pacolli, duke bërë një përmbledhje të takimeve të zhvilluara, qoftë të atyre sipas agjendës zyrtare ashtu edhe të takimeve të tjera të karakterit jo-formal në pritje të ndryshme shtetërore.

“Takova ministren e re të punëve të jashtme të Australisë, Marise Payne. Pas agjendës zyrtare në Selinë e OKB-së takova dhe shumë ministra të jashtëm të vendeve afrikane si atë të Kamerunit, Lejeune Mbella Mbella dhe të Ruandës Louise Mushikiwabo. Takova edhe Jean Baptiste le Moine, ministër shteti për Evropën dhe Punët e Jashtme të Francës. Gjithashtu kam takuar edhe shumë ambasadorë, drejtues institucionesh të grumbulluar në pritjen zyrtare të Ruandës. Më pas takova në një pritje madhështore shumë personalitete drejtuese të Emirateve të Bashkuar Arabe, por edhe nga vende të tjera”, ka deklaruar Pacolli.

Pacolli ka bërë me dije se është takuar edhe me disa personalitete të tjera gjatë vizitës në Nju Jork.

“U takova me ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve Arabe (EBA), Abdullah bin Zayed Al Nahyan, ministrin e Jashtëm të Libisë, Mohamed T. H. Siala, princin e Kurorës së Norvegjisë, Hakkon Magnus; ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështje Ekonomike të EBA-s, Mohamed Sharaf, ministrin e Jashtëm të Bahrejnit, Shaikh Khaled bin Ahmed bin Mohammed Al Khalifah, etj”, ka thënë Pacolli.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës ka bërë me dije se kryetari Shpend…