Pacolli në takim me Soltes, shpreh bindje se KE do vlerësojë përmbushjen e kritereve për vizat

05 qershor 2018 | 19:34

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur në një takim pune në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, i cili ishte i shoqëruar edhe nga stafi tjetër përcjellës nga Parlamenti Evropian.

Në kuadër të këtij takimi, kryediplomati, Pacolli, fillimisht e ka uruar parlamentarin evropian për mandatin e tij, përderisa ka shprehur mirënjohje edhe për punën dhe angazhimin e paraardhëses së tij.

Më pas, Pacolli e ka njoftuar Soltes, në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, me fokus të veçantë mbi punën dhe angazhimin e Institucioneve të Republikës së Kosovës në implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Agjendës së Reformave Evropiane si dhe mbi përmbushjen kritereve të fundit mbi liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës është e bindur se pas ratifikimit të Marrëveshjes mbi Demarkacionin me Malin e Zi, Komisioni Evropian do të vlerësojë pozitivisht përpjekjet e Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit ”, ka thënë Pacolli.

Në margjina të këtij takimi numri dy i Qeverisë ka shprehur edhe synimin e Republikës së Kosovës, që të aplikojë për statusin e kandidatit në të ardhmen e afërt, ndërkohë që ka bërë thirrje për mbështetjen e Parlamentin Evropian tek shtetet jo-njohëse të BE-së dhe për përkrahje në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Organizata Ndërkombëtare.

Nga ana e tij, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Soltes, ka vlerësuar progresin e gjithmbarshëm të arritur nga ana e Institucioneve të Kosovës mbi implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Agjendës së Reformave Evropiane si dhe përkushtimin në lidhje me përmbushjen e kritereve të fundit mbi liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kërkesa e qytetarëve të Vitisë për qasje të kësaj Komune…