Pacolli në takimin me ish-kryeministrin suedez: Miratimi i marrëveshjes së demarkacionit hapë faqe të re
Miratimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi do të hapë një faqe të re për Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj dhe vendi ynë nuk do të mbetet më një vrimë e zezë në Ballkanin Perëndimor.
Kështu ka thënë Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, në takimin që zhvilloi sot pasdite në Prishtinë me ish-Kryeministrin e Suedisë, aktualisht bashkëkryesues i Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR), Carl Bildt dhe ekipin e tij.
“Vërtetë, ka qenë e padrejtë, që Bashkimi Evropian i vuri kusht Kosovës ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi për liberalizimin e vizave. Sot, ekzistojnë shumë vende të tjera në Evropë dhe madje, që e gëzojnë këtë të drejtë e që kanë probleme të tilla ende të pazgjidhura të kufijve shtetëror. Qytetarët e Kosovës, në veçanti të rinjtë, që përbëjnë shumicën e popullsisë këtu nuk është dashur të ndihen të izoluar dhe të pabarabartë në raport me bashkëmoshatarët e tyre në vendet tjera mbi parimin themelor të së drejtës për lëvizje të lirë të qytetarëve. Megjithëkëtë, miratimi i kësaj Marrëveshje, që unë shpresoj që do të ndodh shpejtë do të hap shumë mundësi të reja për qytetarët tanë”, ka thënë shefi i diplomacisë kosovare, Pacolli.
Në kuadër të këtij takimi të dy bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer pikëpamjet e tyre në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë, Ballkanin Perëndimor, procesin dhe përshpejtimin e integrimit të këtyre vendeve brenda BE-së dhe NATO-s, trendët e zhvillimit ekonomik, bashkëpunimin fqinjësor, rajonal si dhe atë ndërkombëtar.
Nga ana e tij, ish-Kryeministri i Suedisë, CarlBildt, i cili ndryshe vlerësohet si një njohës i thellë i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor ka shprehur gatishmërinë e tij personale dhe atë nga Institucioni që bashkëdrejton për bashkëpunim dhe përkrahje në çështjet, që do të mund të konsideroheshin me interes të dyanshëm.