Pacolli nervozohet me deputetët e pozitës: I lig dhe i papërgjegjshëm është veprimi i tyre
Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka kritikuar deputetët e pozitës, të cilët nuk kanë votuar pro futjes në rend të ditës mocionin urgjent procedural për debat parlamentar lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Ai në llogarinë e vet në “Facebook”, Pacolli ka shkruar se deputetët e pozitës duhet ta kuptojnë se s’ka gjë më të rëndësishme se sa diskutimi për shtrenjtimin e rrymës.
Pacolli ka thënë se nuk e di se si qytetarët do të përballojnë trendin e shtrenjtimit të produkteve dhe shërbimeve bazike jetësore.
“E pakuptueshme qasja e deputeteve te Kuvendit të Kosovës në raport me interesat e qytetarëve të Kosovës. Deputetët e pozitës duhet ta kuptojnë se s’ka gjë më të rëndësishme se sa diskutimi për një problem të madh që iu shkaktohet qytetarëve siç është shtrenjtimi i rrymës. Qytetarët janë ata që e mbushin buxhetin e Kosovës me kontributet dhe taksat tyre dhe para tyre duhet të japin llogari këta deputet. I lig dhe i papërgjegjshëm është veprimi i tyre sot se si iu shmangën debatit për shtrenjtimin e energjisë. Qytetarët do të irritohen shumë kur në fund të muajit faturat të cilat do t’iu vijnë do të jenë të papërballueshme. Nuk di si qytetarët do të përballojnë trendin e shtrenjtimeve të produkteve dhe shërbimeve bazike jetësore???”, ka shkruar Pacolli.
Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë lëshua sallën e Kuvendit të Kosovës pasi nuk ka pasur kuorum për ta futur në rend dite si mocion urgjent procedural për debat parlamentar, shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike.
Sipas propozimit të opozitës, kjo çështje do të vendosej si pikë e parë dhe pastaj të dilej me rezolutë të përbashkët për revokimin e vendimit të ZRrE-së.
Ndërkohë, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka miratuar sot vendosjen e bllokut tarifor në 800 kilovat për konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë. ZRrE-ja ka ndryshuar vendimin pasi me rekomandimin paraprak ata kërkonin që çmimi i energjisë elektrike të rritet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kilovat. Propozimi ka ardhur në mbledhje nga departamenti i tarifave dhe është miratuar në mënyrë unanime.