Pacolli nga Polonia: Kemi shumë për të mësuar gjatë integrimit evropian
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, është duke marrë pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Poloni.
Me këtë rast, Pacolli ka përgëzuar Poloninë dhe homologun e tij polak, Jacek Czaputowicz për organizimin e këtij samiti.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se Kosova ka për të mësuar gjatë rrugës së saj eurointegruese.
“Dëshiroj fillimisht të përgëzoj Poloninë dhe mikun tim, ministrin e Jashtëm, Jacek Czaputowicz për një vit të jashtëzakonshëm të kryesimit me Procesin e Berlinit, për organizimin e madh të këtij Samiti dhe për angazhimin për të sjellë një frymë të re bashkëpunimi dhe mirëkuptimi. Është e rëndësishme ky rol dhe vlera e shtuar e Polonisë në procesin e zgjerimit të BE-së, që ka mbetur në gjysmë të rrugës dhe mbështetjen e saj për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt integrimit. Ne kemi shumë për të mësuar gjatë integrimit evropian dhe mbi të gjitha kemi shumë për të kapërcyer në marrëdhëniet tona në Ballkan dhe në raport me shoqëritë tona”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/