Pacolli: Norvegjia e ka përkrahur fuqishëm Kosovën në të gjitha etapat
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur sot në takim kryediplomatën norvegjeze, Ine Eriksen.
Pacolli ka thënë se Norvegjia është vend model nga i cili Kosova mund të mësojë shumë për zhvillimin dhe bashkëpunimin ndërshtetëror.
“Ky vend ka përkrahur fuqishëm Republikën e Kosovës në të gjitha etapat para dhe pas pavarësisë. Edhe sot, Eriksen shfaqi mirëkuptim total për nevojën e përkrahjes së Kosovës në proces të hapjes së mundësive të reja. Gjatë këtij takimi, znj. Eriksen i shpjegova faktin se Serbia po provon ta bllokojë Kosovën në synimin e saj të integrimit në familjen e shteteve demokratike, evropiane”, ka thënë Pacolli pas takimit.
Ai ka bërë me dije se në këtë takim u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Shpreha mirënjohje për përkrahjen e Norvegjisë në procese të afirmimit tonë ndërkombëtar. Jemi të inkurajuar me faktin se kemi miqësi dhe partneritet me vende si Norvegjia”, ka deklaruar Pacolli.