Pacolli optimist për anëtarësimin e Kosovës në Interpol
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, është shprehur optimist se Kosova nesër do të arrijë të bëhet anëtare e Interpolit.
Në një konferencë për medie nga Dubai, ku po mbahet asambleja e Interpolit, Pacolli ka thënë se Kosova është në pozicion të mirë për ta arritur këtë qëllim.
“Deri më tani çdo gjë që kemi bërë këtë vit ja kemi dedikuar punës përgatitore për këtë moment. Çdo gjë është sipas planit, Kosova është në pozicion shumë të mirë. Shpresoj që të mos këtë surpriza negative dhe besoj se nesër që nga ora 11:00 (kohë lokale), Kosova do të jetë pjesë e Interpolit”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se anëtarësimi në këtë organizatë policore është shumë i rëndësishëm për Kosovën.
“Na ndajnë vetëm disa orë deri te momenti i rëndësishëm, unë besoj se po për shkak se vota pro është një votë e merituar e Kosovës si shtet që është duke u konsoliduar, të qenurit në organizatën e Interpolit është jashtëzakonisht e rëndësishme, konsideroj se pas shpalljes së pavarësisë është momenti më i rëndësishëm dhe deri tani çdo gjë që kemi bërë ja kemi dedikuar punës përgatitore për këtë event”, është shprehur Pacolli.
Sipas tij, me anëtarësimin në Interpol, Kosova më nuk do të jetë një vrimë e zezë dhe siguria evropiane do të jetë më e qëndrueshme.
/Epoka e re/