Pacolli për politiken e jashtme: Kosova po ballafaqohet me fushatë agresive nga Serbia
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka qenë panelist kryesor në tryezën e organizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) me titull “Politika e Jashtme Kosovare: Prioritetet dhe Sfidat”.
Në këtë tryezë, Pacolli ka prezantuar prioritetet dhe sfidat e politikës së jashtme të Kosovës.
Duke folur mbi mbarëvajtjen dhe dinamikën e procesit të njohjeve, ministri Pacolli, ka thënë se Kosova brenda ekzistencës së saj dhjetëvjeçare si shtet ka bërë hapa të mëdhenj, duke rritur numrin e njohjeve në 117.
Pavarësisht kësaj, ai ka përmendur sfidat e këtij procesi, respektivisht ndryshimin e rrethanave në politikën ndërkombëtare dhe ballafaqimin me një fushatë gjithnjë e më agresive nga ana e Serbisë.
Në këtë drejtim, Pacolli ka thënë se Kosova duhet të fokusohet në dy drejtime, të punojë me vendet që e kanë njohur Kosovën, dhe të sigurojë njohjet e reja.
Në këtë tryezë kanë marrë pjesë edhe kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Vjosa Osmani, anëtarë të këtij komisioni, përfaqësues nga Presidenca, një pjesë e ambasadorëve të akredituar në Prishtinë, përfaqësues të organizatave të ndryshme nga shoqëria civile, si dhe ekspert të politikës së jashtme.
/Epoka e re/