Pacolli për propozim rezolutën e dialogut: Të dalim më të fuqishëm se kurdoherë
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se me nismën për nxjerrjen e rezolutës për dialogun me Serbi, subjektet politike pjesë e koalicionit qeverisës, i kanë hapur rrugë fuqizimit të pozitës dialoguese të Republikës së Kosovës në funksion të arritjes së Marrëveshjes ligjërisht ndërkombtarisht obligative në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Pacolli përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se përmbajtja e kësaj rezolute krijon mundësi për një strukturë përfaqësuese konsensuale, në përbërje të gjithë spektrit politik shumicë.
“Me nxjerrje të rezolutës, partitë hezituese në lidhje me dialogun dhe debatin rreth tij, arrijnë synimin e përbashkët, pozicionimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës si epiqendër e filtrimit dhe aprovimit të Marrëveshjes ligjërisht ndërkombtarisht obligative”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka theksuar se rezoluta lartëson frymën kushtetuese dhe vendosmërinë e orientimit tonë perëndimor, strategjik, në partneritet me shtete të fuqishme dhe organizata ndërkombëtare.
“Eliminimi i mundësisë së krijimit të një shkalle të ndërmjetme të pushtetit, dhe i mundësisë së prekjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës, pozicionon Kosovën në çfarëdo formati dhe konteksti dialogues. Është koha të projektojmë energji të re, dhe nga debati i brendshëm rreth dialogut, të dalim më të fuqishëm se kurdoherë. Koha po ikë, rezoluta pret aprovim sa më shpejtë!”, ka shkruar Pacolli.
/Epoka e re/