Pacolli përfaqëson Kosovën në takimin e shefave të diplomacisë së BE-së dhe Ballkanit në Helsinki
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, është duke përfaqësuar Kosovën në takimin e rëndësishëm që shënon njëkohësisht fillimin e presidencës finlandeze të Bashkimit Evropian (BE).
Dje ka nisur në Helsinki të Finlandës takimi informal i 28 ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian, drejtuesve të Komisionit me homologët e tyre të Ballkanit Perëndimor.
Aktiviteti ka nisur me një pritje të nikoqirit dhe komisionarëve për punë të jashtme dhe zgjerim ku morën pjesë shefat e diplomacisë së këtyre vendeve, pritje që ishte rast i mirë për një shkëmbim informal pikëpamjesh mes tyre.
Behgjet Pacolli, i ftuar nga drejtuesit më të lartë të Komisionit Evropian, në cilësinë e tij si shef i diplomacisë së Kosovës, ka thënë se shteti ynë merr pjesë si e barabartë me të gjithë shtetet e tjerë të rajonit.
Ministri Pacolli do të mbajë një fjalim ku do të adresojë vizionin e Kosovës për bashkëpunimin rajonal, obstruksionet e Serbisë në dialog dhe në shkëmbimet ekonomike në rajon dhe thirrjen e Kosovës për t’i dhënë fund izolimit të saj ndërkombëtar nëpërmjet liberalizimit të vizave, etj.
Sot gjatë ditës takimi do të vijojë me një forum të përbashkët me dyer të mbyllura të shefave të diplomacisë së Ballkanit Perëndimor me 28 homologët e vet të BE-së me takime dypalëshe, komunikim me mediet e shumta të krejt kontinentit, etj.
Aktiviteti në fjalë koincidon me stafetën e drejtuesve të institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian tek udhëheqësja e re dhe fillimin e presidencës finlandeze.
/Epoka e re/