Pacolli i përgjigjet pozitivisht ftesës së liderit të LDK-së
Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka folur për ftesën e LDK-së për një tryezë të përbashkët si dhe platformën e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
Pacolli për “Gazeta Blic” ka thënë se partia e tij është një parti liberale, e cila do të marrë pjesë në çdo tryezë.
“AKR është një parti liberale, ne do të marrim pjesën në të gjitha tryezat”, ka thënë Pacolli.
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka ftuar kryetarët e partive politike që të mërkurën e kësaj jave në një tryezë të përbashkët me qëllim të tejkalimit të gjendjes së krijuar në vend.
Në letrën dërguar partive politike, Mustafa thotë se gjendja e krijuar politike në vend mund të zgjidhet veç me zgjedhje të parakohshme.
Tryeza politike do të mbahet të mërkurën në orën 13:00 në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa, Kadri Veseli, ka prezantuar një platformë politike, përmes së cilës u bënë thirrje gjithë liderëve të partive politike për krijimin e një ekipi të përbashkët me pjesëmarrje edhe të shoqërisë civile për këto pesë tema: 1. Dialogu me Serbinë, 2. Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, 3. Themelimi i Ushtrisë së Kosovës, 4. Agjenda e Integrimeve Evropiane, 5. Reforma Zgjedhore.