Pacolli po merr pjesë në punimet e procesit Bërdo-Brione
Zëvendëskryeministri dhe ministror i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, me ftesë të presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, po merr pjesë në punimet e procesit të Bërdo – Brione.
Gjatë qëndrimit të tij në punimet e këtij procesi ministri Pacolli po diskuton me ministrat e punëve të jashtme të vendeve pjesëmarrëse për zhvillimet në rajon, rrugën në procesin e integrimeve evropiane si dhe për zhvillimet e gjithëmbarshme ndërkombëtare.
Numri dy i Qeverisë së Kosovës, Pacolli gjatë diskutimeve me homologët e tij nga rajoni ka theksuar përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të vazhduar në rrugën e integrimeve evropiane, sidomos tani, pas qartësimit të procesit të integrimeve, që nga publikimi i Strategjisë së re të zgjerimit nga Komisioni Evropian.
Kryediplomati kosovar, ka ritheksuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për të kontribuar në zhvillimin e fqinjësisë së mirë.
Në punimet e procesit të Bërdo – Brione të organizuar nga Republika e Maqedonisë në cilësinë e presidencës së radhës, përveç presidentëve dhe ministrave të punëve të jashtme të rajonit po merr pjese edhe presidenti i Këshillit të Evropës, Donald Tusk.
Procesi i Bërdo-s u iniciua zyrtarisht nga takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Bërdo afër Kranjit më 20 mars 2010. Si një nismë rajonale joformale, procesi mori emrin “Procesi i Bërdo-s”, sipas vendit të mbajtjes.
Qëllimi i krijimit të kësaj nisme rajonale ishte forcimi i lidhjeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që bashkëpunimi i forcuar në rajon të ndihmojë progresin e saj më të shpejtë drejt integrimit evropian.
/Epoka e re/