Pacolli pranon kopjet e letrave kredenciale nga ambasadori i ri i Turqisë
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur në një takim ambasadorin e ri të Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, nga i cili ka pranuar edhe kopjet e letrave kredenciale.
Në takim është biseduar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit në të ardhmen, sidomos në fushën e ekonomisë.
Kryediplomati Pacolli i ka shprehur mirëseardhje diplomatit turk në vendin tonë dhe i ka uruar suksese në detyrën e re, duke theksuar që Kosova vazhdimisht ka ndier përkrahjen e Turqisë, si në procesin e shtetndërtimit, ashtu edhe në shumë procese të tjera dhe i ka vlerësuar marrëdhëniet bilaterale.
Ndërsa ambasadori Sakar, ka shprehur gatishmërinë personale për të kontribuar për vazhdimin e marrëdhënieve shumë të mira ndërmjet dy vendeve.
/Epoka e re/