Pacolli pret me padurim që Merkel përsëri të zgjedhet kancelare
12 mars 2018
| 19:43
Ministri i Jashtëm i Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministër i vendit, Behgjet Pacolli, i është gëzuar lajmit për formimin e koalicionit qeverisës në Gjermani.
Ai nëpërmjet një shkrimi në profilin e vet në “Facebook”, ka thënë se pret me padurim që Angela Merkel, të zgjidhet për herë të katërt kancelare e Gjermanisë.
“I gëzohem lajmit për nënshkrimin e Marrëveshjes për formimin e koalicionit dhe programit të ardhshëm qeveritar nga krerët dhe Grupet Parlamentare të CDU-së, CSU-së dhe SPD-së në Berlin”, ka shkruar Pacolli.
“Pres me padurim ditën e mërkurë, kur pritet të zgjidhet për herë të katërt Kancelare e Gjermanisë, Angela Merkel dhe më pas të betohet edhe Qeveria e re”, është shprehur ai.