Pacolli: Procesi i njohjeve është i pakthyeshëm dhe i pandalshëm
Njohja zyrtare e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur e sovran nga shteti i Barbadosit dhe shprehja e vullnetit për vendosjen e shpejtë të marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve është një lajm i duhur, në kohën e duhur dhe duhet t’i inkurajojë edhe shtetet tjera jonjohëse që ta ndërmarrin një hap të tillë në shënimin e dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, pas pranimit zyrtar të njohjes nga Barbadosi, nëpërmjet të cilës konfirmohet ky vendim.
Pacolli ka vlerësuar se ky akt i rëndësishëm nga përfaqësuesit e shtetit të Barbadosit fuqizon edhe më tej legjitimitetin ndërkombëtarë të Kosovës dhe dërgon një mesazh të qartë se procesi i njohjeve është i pakthyeshëm dhe i pandalshëm.
“Unë nuk do të ndalem. Unë sapo kam filluar. Ky vit do të jetë i mbarë për Kosovën”, është shprehur Pacolli.
Barbadosi është një shtet ishull në rajonin e Karaibeve në Amerikën Veriore me një popullsi rreth 300 mijë banorë.