Pacolli: Qeveria e re është e obliguar t’i kthehet dialogut
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se koalicionin me Nismën e sheh si krah për formimin e Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
Sipas tij, Qeveria e re duhet të formohet në afatin më të shpejt pas përfundimit të procesit zgjedhor, transmeton “Klan Kosova”.
“Detyrë kryesore e çdo qeverie që do të formohet si rezultat i këtyre zgjedhjeve do të jetë spastrim i rrugës për të filluar dialogu. Kërkesa që vjen nuk është vetëm që vjen prej një njeriu, që është kyç i SHBA-së për Ballkanin”, ka theksuar ai, duke u ndërlidhur në takimin që ka pasur me Përfaqësuesin e Posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.
“Qeveria e ardhshme do të jetë e obliguar që të fillojë dialogun me Serbinë. Këtë ma ka thënë jo vetëm ky, por ky artikulim është i të gjithë miqve tanë. Ishte gjuhë e ashpër e Palmer por ishte miqësore. Unë besoj se Qeveria e ardhshme ajo duhet të fillojë me spastrim të rrugës për nisjen e dialogut me Serbinë”, ka deklaruar Pacolli për të shtuar se: “Detyra numër një që Kosova duhet ta bëjë është përfundimi i dialogut me Serbinë. Traktati i paqes me Serbinë i hap Kosovës perspektivën e gjerë, që të jetë shtet i kompletuar. Unë besoj se më askush nuk do ta përkëdhel Kosovën. Deshëm ose jo nuk mund ta mbajmë peng qytetarin e Kosovës. Duhet të arrijmë te kontrata e paqes që i sjell Kosovës njohje reciproke dhe anëtarësim në organizatat kryesore botërore”.