Pacolli reagon për tërmetin në Turqi, i shpreh ngushëllime popullit turk për viktimat
Një tërmet i fuqishëm ka goditur Turqinë, qytetin lindor Elazig, rreth orës 19:00 dhe tashmë kanë filluar të dalin edhe detajet e para.
Deri më tani është e konfirmuar magnituda që ka qenë 6.8 e shkallës rihter dhe ka dëme në disa qytete.
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se me shqetësim po ndjekë lajmet nga Turqia për pasojat e tërmetit 6.8 shkallësh të Rihterit, që goditi qytetin lindor Elazig.
“Autoritetet turke raportuan për katër të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, ndërkohë që po vazhdojnë kërkimet në disa ndërtesa të dëmtuara në zonën e prekur. Shpreh ngushëllime të thella familjeve dhe popullit mik turk për viktimat, ndërsa të lënduarve ju uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.