Pacolli: Rruga e Kosovës drejt Këshillit të Evropës, e pandalshme
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka uruar homologen e tij kroate, Marija Pejçinoviq Buriq, për marrjen e kryesimit të Këshillit të Evropës nga Kroacia, shtet me të cilin Kosova tradicionalisht ka marrëdhënie të afërta dhe strategjike.
Pacolli ka shkruar në profilin e vet në “Facebook” se kjo krijon një mundësi të re dhe rrethana të favorshme për vazhdimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Rruga e Kosovës drejt KE-së është në drejtimin e duhur dhe e pandalshme, përderisa synimi ynë strategjik mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Misioni dhe vlerat që mbron KE e plotësojnë aspiratën tonë për integrim në Evropë. E falënderoj, gjithashtu shtetin tonë mik Danimarkën që deri më tash e ka pasur kryesimin e KE-s”, ka shkruar Pacolli.