Pacolli: Rugova është i papërsëritshëm
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova, me rastin e 12-vjetorit të vdekjes se tij.
Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Rugova është i papërsëritshëm.
Postimi i plotë i Pacollit:
Ka pasur Ibrahim Rugovë, ka rugovizëm!
Në këtë pikë, Rugova është i papërsëritshëm. Nuk ka dhe nuk do të ketë besoj në historinë e afërt të Kosovës, udhëheqës politik i cili të ketë lenë pas një ideologji, një rrymë mendimi dhe veprimi, që mban emrin e vet. Nuk ka një të dytë. Nëse ju dini dikë tjetër, ma thoni.
Kosova e Ibrahim Rugovës dhe Ibrahim Rugova i Kosovës. Sot që kam mbi supe detyrën e nderuar të ministrit të jashtëm të Republikës së Kosovës, kam mundësinë të kuptoj se ky njeri është shndërruar në njëlloj marke identifikuese me shumë vlerë e shtetit tonë, e popullit tonë, e kombit tonë, një simbol i pandashëm nga Kosova. Edhe në këtë pikë, Presidenti ynë është i posaçëm, i papërsëritshëm.
Sot në përvjetorin e vdekjes së themeluesit të idesë dhe praktikës së shtetit të pavarur të Kosovës e ndjeva të udhës me thënë këto dy pohime.
Janë pohime për diçka që e ndiej, e prek dhe për të cilën jam i vetëdijshëm gjithmonë e më shumë. Rugova na la pas ideologjinë e vet.
Rugova na la pas në botën e madhe markën e vet me të cilën identifikohemi si Kosovarë. Kjo është pavdekësia e tij.