Pacolli: Serbia do ta kuptojë se e ardhmja e saj pa njohje të Kosovës është e errët
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, pas takimit me homologun nga Mali i Zi, Srdjan Darmanoviq, ka thënë se është inkurajuar nga ky i fundit për përmbylljen e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se secili përfaqësues i shteteve të rajonit i sugjeron Serbisë që ta njoh Kosovën si shtet te pavarur dhe sovran.
“Sot prita në një takim shumë miqësor homologun tim, Srdjan Darmanoviq, në kryesim të delegacionit shtetëror nga Mali i Zi. Diskutuam agjendën e ngjeshur të çështjeve me interes reciprok dhe për rajonin, sikurse janë bashkëpunimi ekonomik, përkrahja në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, çështje të bashkëpunimit diplomatik në rrafshin ndërkombëtar, dhe atë të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare. Jemi dy vende që dimë si t’i qasemi bashkëpunimit dhe jemi në avantazh, sepse nuk kemi asnjë çështje të hapur”.
“Po ashtu, ndjehem i inkurajuar me qëndrimin e homologut tim malazez, i cili sugjeron që përmbyllja e dialogut me Serbi duhet të përfundoj me njohje. Ky është edhe qëndrimi përfundimtar i Kosovës. Pothuaj secili shtet në rajon sugjeron të njëjtin epilog, prandaj besojmë që Serbia do ta kuptojë që e ardhmja e saj pa njohje të Kosovës, është e ardhme e errët dhe pa perspektivë evropiane dhe ndërkombëtare. Serbia nuk duhet të pengojë shtetet në fqinjësi të ndjekin kursin perëndimor, prandaj e ritheksova edhe në këtë konferencë për medie, se Serbia dhe BeH duhet ta korrigjojnë kompasin e prishur politik!”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/