Pacolli shpreh ngushëllime për Ragip Sylajn
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së gazetarit dhe shkrimtarit Ragip Sylaj, i cili periudhën e fundit ka punuar edhe në MPJ.
“Me pikëllim të thellë e pranova lajmin për ndarjen nga jeta të një zyrtari të MPJ-së dhe kolegut tonë të përkushtuar, të përgjegjshëm dhe shumë të respektuar tashmë të ndjerë, z.Ragip Sylaj. Daja siç e quanin kolegët e miqtë e tij të afërt do të përkujtohet gjithmonë si një njeri me virtyte të larta njerëzore”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka thënë se Sylaj ishte tip i heshtur dhe i qetë.
“I heshtur, i qetë, me plot energji pozitive dhe gjithmonë me humor të mirë. Puna dhe veprat e tij si gazetar i dëshmuar, shkrimtar i veçantë dhe punonjës i dalluar do të mbesin frymëzim dhe shembull për të tjerët. Zoti e shpërbleftë me parajsë shpirtin e tij. Ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve dhe kolegëve nga Ministria”, ka shkruar Pacolli në profilin e vet në “Facebook”.