Pacolli: Skandali me votat e parregullta të serbëve mund t’i kushtojë Kosovës
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se nga numërimi i deritanishëm i votave koalicioni Nisma-AKR-PD ka aktualisht 5.05% dhe ka kaluar pragun.
“Veprimet e sotme përmes tentimit që votat e parregullta të procedohen e të numërohen është tentim për të deformuar vullnetin e qytetarëve. Votimi në Serbi nuk lejon që fletëvotime të tilla të dorëzohen në posten e Kosovës nga Zyra e Serbisë në Kosovë përmes orkestrimit nga Beogradi, por duhet të vijnë përmes postës, në KQZ të Kosovës”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shtuar se në zarfa duhet të ekzistojë vula e origjinës prej ku është dërguar vota.
“Kjo është një shkelje e ligjit dhe ne do të ndërmarrim hapa ligjorë për të parandaluar shkeljen e procedurave.
Beogradit dhe Vuçiçit po i pengon që koalicioni ynë ka kaluar pragun dhe nuk lejojmë me votat e tij te manipuluara dhe ilegale të deformohet vullneti qytetetar”, ka shkruar Pacolli.