Pacolli sot kthehet përsëri në Lugano
Ende pa u qetësuar situata që shkaktoi ardhja e tij nga Zvicra në Kosovë përmes Shqipërisë, deputeti i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka kërkuar leje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit që të kthehet në Lugano.
Burime brenda MIA-s tregojnë për KOHËN se Pacolli ka kërkuar leje dhe se ajo i është aprovuar. Sipas burimit, Pacolli pritet që sot rreth orës 14:00 të niset me aeroplanin e tij privat për Zvicër.
Këshilltari i tij, Jetlir Zyberaj, nuk e ka konfirmuar lajmin. Ai ka kërkuar edhe pak kohë për “këtë çështje”.
Kthimi i ish-ministrit të Punëve të Jashtme javën që shkoi shkaktoi bujë të madhe. Ai kërkoi të kthehej direkt në Kosovë nga Lugano. Mori dy herë leje dhe dy herë e anuloi atë. Më pas kthimin e bëri përmes Tiranës. Kërkesa e Pacollit për aterrim në Aeroportin e Prishtinës u përcoll edhe me atë që të mos futej në karantinë, si çdo qytetar që vjen nga jashtë në këtë kohë pandemie.
Më pas nga Tirana, Pacolli erdhi po ashtu me aeroplan privat dhe u vendos në shtëpinë e tij në Hajvali. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai duhet të qëndrojë në vetizolim 14 ditësh.
Pas kthimit, Pacolli akuzoi shtetin e Kosovës se për një moment ishte frikësuar “nga një sulm terrorist” ndaj tij.
Pacolli është kthyer nga Zvicra pas thirrjes së mbledhjes së jashtëzakonshme për votimin e qeverisë së re, e cila u shty pas masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese ndaj dekretit të presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër.