Pacolli takohet me homologun grek, temë e diskutimit edhe liberalizimi i vizave
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka zhvilluar një takim në Varshavë me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Georgios Katrougalos.
Pacolli përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka treguar se me ministrin e jashtëm grek kanë diskutuar për mundësitë e përafrimit të dy vendeve në fusha të ndryshme.
“Theksova të arriturat e Republikës së Kosovës, sfidat dhe ndihmën që presim nga Greqia. Promovimi i marrëdhënieve të mira mes dy vendeve tona dhe sidomos intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike janë prioritet i të qeverive tona. Ministri Katrougalos më ka siguruar se ai dhe Qeveria greke vlerësojnë progresin e arritur në Kosovë në përmbushjen e kritereve për vizat dhe parimisht ka qëndrim pozitiv për Kosovën”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka shtuar se Greqia kërkon nga Kosova dhe shtetet tjera të rajonit të jenë të vendosur dhe të përkushtuar drejt forcimit të marrëdhënieve rajonale dhe procesit të integrimit të rajonit në BE.
“Gjithashtu vlerësuam se zgjidhjet në Ballkan duhet të jenë me marrëveshje dhe në mënyrë paqësore dhe duhet të pushojnë të gjitha përpjekjet për rrënimin e të arriturave”, ka deklaruar Pacolli.
/Epoka e re/