Pacolli takohet me Mass: Gjermania mbështet plotësisht liberalizimin e vizave për Kosovën
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, në Varshavë është takuar me ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Mass, i cili tashmë konfirmoi se Gjermania me të gjithë mekanizmat e saj mbështet plotësisht liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Partnerë si Gjermania, kanë ndihmuar clirimin, pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, ndërsa sot na mbështesin në zhvillimin e vendit tonë. Me homologun tim Mass biseduam gjithashtu për raportet që duhet ti intesifikojmë ndërmjet dyja vendeve tona. Gjermania si njëri ndër përkrahësit më të fuqishëm të Kosovës vazhdon mbështetjen e madhe për Kosovën. I inkurajuar jashtëzakonisht shumë me mbështetjen e madhe gjermane për, vazhdimin e dialogut me Serbinë, rëndësin e këtyre bisedimeve dhe arritja e një marrveshje në mes dy shteteve në afat sa më të shkurtër”, ka shkruar Pacolli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Pacolli ka njoftuar ministrin Mass për platformën e dialogut e cila ditë më parë u miratua në Kuvendin e Kosovës, dhe për gatishmërinë e palës kosovare për rifillim të dialogut.
“I shpreha edhe shqetësimet për kampanjën agresive dhe shpifëse të Serbisë rreth njohjeve të shtetit të Kosovës. Mass theksoi rëndësin e takimit të datës 29 prill ku janë të ftuar të gjithë liderët e Ballkanit Perendimor me ftesë të Angela Merkel dhe presidentit francez, Macron”, ka shkruar Pacolli.