Pacolli takohet me Sekretarin e Selisë së Shenjtë në Vatikan

25 janar 2018 | 17:38

Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, është takuar me Sekretarin e Shtetit, Paul Richard Gallagher, në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Temë kryesore e këtij takimi ka qenë zhvillimet në Kosovë dhe forcimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Selisë së Shenjtë.

Zëvendëskryeministri Pacolli, e ka njoftuar Sekretarin e Shtetit, Paul Richard Gallagher për përparimin e brendshëm dhe të afirmimit të shtetësisë së Kosovës, që sot njihet nga 115 shtete të botës.

“Kosova sot në dhjetëvjetorin e vet ka një kuadër kushtetues model për marrëdhëniet ndëretnike, të cilat kanë njohur përmirësim të jashtëzakonshëm. Bashkëjetesa fetare, gjithashtu është shembull për rajonin”, ka thënë Pacolli.

Pacolli ka kërkuar shtim të kontakteve ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit, rritje të nivelit të përfaqësimit dhe njohje të shtetit të ri të Kosovës, si kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Kurse Kardinali Gallagher, njohës i mirë i zhvillimeve në rajon dhe në Kosovë, ka thënë se Vatikani është i gatshëm të rris bashkëpunimin me Kosovën.

“Ju e njihni mirësinë që ka Ati i Shenjtë, Papa Francesku, dhe Selia e Shenjtë ndaj popullit të Kosovës. Ne i dimë aspiratat e popullit tuaj dhe i vlerësojmë ato. E dimë se komuniteti katolik i vendit tuaj dëshiron të rrisë nivelin e organizimit në dioqezë dhe ne do të bëjmë hapa të matur. Ne nuk kushtëzohemi nga askush, por thjesht duam që të mirëkuptohemi nga të gjithë akterët në rajon, për çdo hap që bëjmë. Ne jemi të gatshëm të rrisim bashkëpunimin me Kosovën”, ka thënë Sekretari i Shtetit Gallagher.

Duke falënderuar për dhuratën me figurën e Nënë Terezës, Kardinali Gallagher ka theksuar se figura e Nënë Terezës duhet të shërbejë si simbol i bashkimit për rajonin.

Kardinali Gallagher ka kërkuar informacion prej Pacollit për gjendjen e të rinjve në Kosovë, në pikëpamje të punësimit dhe të aktivizimit shoqëror.

Po në këtë takim ministri Pacolli ka folur për zhvillimin ekonomik e social në vend, dhe përpjekjet për të përfshirë në punësim dhe në një arsim cilësor rininë mendje hapur të Kosovës, një rini që e do përparimin dhe lëvizjen e lirë.

Zëvendëskryeministri Pacolli e ka ftuar Kardinalin Gallagher për një vizitë në Kosovë në kuadër të festimeve të dhjetëvjetorit të pavarësisë.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo pas eliminim të Real Madridit nga Kupa e…