Pacolli takon homologun finlandez, flasin për zhvillimet politike në Kosovë
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur sot në një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës, Pekka Haavisto.
Në këtë takim Pacolli ka falënderuar homologun e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës në procesin e shtetndërtimit dhe integrimeve euroatlantike për Republikën e Kosovës.
“Miqësia që kemi me Finlandën është shumë e veçantë. Do ta çmonim ndikimin e juaj tek shtetet e tjera mike të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që të na mbështesin në këtë drejtim”, është shprehur ministri Pacolli.
Po në këtë takim të dy bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer pikëpamjet mbi mbarëvajtjen e zhvillimeve politike në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
Ministri Pacolli ka vlerësuar marrëdhënien bilaterale dhe partneritetin strategjik në mes dy vendeve dhe dy popujve.
Pacolli ka konfirmuar vullnetin e Republikës së Kosovë për thellimin e mëtejmë të raporteve miqësore ndërmjet dy vendeve.
Edhe ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, ka thënë se marrëdhëniet e miqësisë ndërmjet të dyja shteteve dhe raportet e afërta ndërmjet qytetarëve tanë paraqesin kapital dhe investim të madh në të ardhmen.
/Epoka e re/