Pacolli: Të luftosh korrupsionin duhet të jesh i pakorruptuar
“Të luftosh korrupsionin duhet të jesh i pakorruptuar”, ishte mesazhi të cilin dha presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, gjatë takimit me strukturat e partisë në Prizren.
“Ne këtyre ditëve para zgjedhjeve shohim polarizim të madh të partive dhe programeve të ndryshme për zhvillimin e vendit, disa thonë se do ta luftojmë korrupsionin, mirëpo unë them se ta luftosh korrupsionin duhet të jesh i pakorruptuar”, tha ndër të tjerash presidenti Pacolli.
Pacolli tha se që nga themelimi, AKR ka pasur një vizion dhe një qëndrim në të cilin ka qëndruar stoik dhe koha ka vërtetuar se ato kanë qenë qendrimet e duhura.
“Në vitin 2006 kur kam prezantuar programin qeverisës, për zhvillimin e bujqësisë, thonin se dëshiron të rinjtë ti bënin bujq. Kur kam thënë se e vetmja zgjidhje me Serbinë janë bisedimet, thanë se Pacolli kërkon dialog me Serbinë, ndërsa tani të gjithë luftojnë se kush ti udhëheqë bisedimet”, shtoi ai.
Koordinatori i degës së AKR-së në Prizren, Shpend Shuki, i është adresuar të pranishmëve duke thënë se Aleanca Kosova e Re i ka njerëzit më të pregaditur për çështjet politike dhe zhvillimore.
“Forca jonë politike është me vlerat më të çmuara njerëzore dhe në rradhët tona kemi njerëzit më të pregaditur për qështjet politike dhe zhvillimore”, tha ai.
Ymer Rugova i cili është kandidat për deputet nga Prizreni, tha se ajo çka e dallon AKR-në nga partitë e tjera është se ky subjekt politik ka vizione ndryshe nga të tjerët.
Në fund të takimit Kryetari Pacolli prezantoi kandidatët për deputet të Kuvendit të Kosovës nga AKR, Ymer Rugova, Valdrin Lluka, Vesel Makolli, Fatmir Matoshi, Ekrem Mustafa, Myzejene Selmani, Skender Avdyli, Alma Lamçja dhe Islam Pacolli.