Pacolli: Tërë jetën do t’u jemi mirënjohës ShBA-ve
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur në një takim pune kongresmenin amerikan, Steven Palazzo dhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
“Ne, i jemi mirënjohës për gjithë jetën ShBA-ve”, i ka thënë Pacolli, kongresmenit amerikan Palazzo, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.
“Në këta 10 vjet jetë të pavarur, ne po përpiqemi të ndërtojmë një shoqëri të civilizuar dhe po ecim para, megjithëse kemi bërë dhe gabime”, ka deklaruar Pacolli.
Kurse kongresmeni amerikan Steven Palazzo e ka falënderuar Pacollin për mikpritjen e popullit të Kosovës. “Vend në të cilin çdo amerikan ndihet si në shtëpinë e vet”, ka theksuar ai.
Gjatë bisedës së ngrohtë dhe miqësore, ministri Pacolli e njohu bashkëbiseduesin me përpjekjet e tij për të rritur njohjet e Kosovës anembanë globit, aktivitet në të cilin ka gjithmonë bashkëpunimin dhe mbështetjen e ShBA-ve.
Duke i treguar për përshtypjet nga vizita e ngrohtë në shtetin e Ajovas (Iowa) në ShBA, ministri Pacolli ka kërkuar vendosjen e kontakteve të Kosovës me shtetin e Misisipit, zonën elektorale të kongresmenit, shtet ky i njohur për traditën bujqësore.