Pacolli thotë se Bejtush Gashi do të marrë përgjegjësi të rëndësishme institucionale
Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka folur pas emërimit të dy ministrave të rinj në Qeveri.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se në kuadër të riorganizimit të përgjegjësive institucionale, me propozimin e tij si lider partie i ka propozuar kryeministrit Ramush Haradinaj kërkesën për të emëruar Fatmir Matoshin, ministër të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ekrem Mustafën, ministër të Punëve të Brendshme.
Pacolli ka thënë se Bejtush Gashi do të marrë një përgjegjësi të rëndësishme institucionale.
Postimi i plotë i Pacollit:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës.
Në kuadër të riorganizimit të përgjegjësive institucionale, sot me propozimin tim si president i AKR-së, i kam adresuar kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj një kërkesë për të emëruar Fatmir Matoshin, ministër të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ekrem Mustafën, ministër të Punëve të Brendshme.
Dua të falënderoj për kontributin e tij të deritashëm Bejtush Gashin, i cili në ditët në vijim do të marrë një përgjegjësi të rëndësishme institucionale, në funksion të realizimit të objektivave tona qeverisëse.