Pacolli thotë se nuk ka tërheqje të njohjeve për Kosovën

19 dhjetor 2018 | 14:23

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, gjatë raportimit të tij në Komisionin për Punë të Jashtme, Diaspore dhe Investime Strategjike ka thënë se nuk ka tërheqje të njohjeve për Kosovën, ashtu siç kanë raportuar mediet serbe dhe politikanët e Serbisë.

Sipas tij, asnjë notë verbale për tërheqje të njohjes së shtetësisë së Kosovës, pos Ishujve Solomon që nuk ka ardhur në mënyrë zyrtare.

Pacolli ka deklaruar po ashtu se Kosova është e njohur me notë verbale nga 116 shtete të botës.

Ministri Pacolli e ka pranuar se nuk ka qenë në disponim të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme që opozita e kishte ftuar për të diskutuar lidhur me dështimet e diplomacisë kosovare.

“Isha nervoz dhe nuk doja të më ofendonte dikush sepse nuk mundem t’i pranoj ofendimet”, është shprehur Pacolli.

Pacolli ka treguar se mungesa e tij në raportim në këtë komision ka qenë për arsye të vizitave zyrtare jashtë vendit.

Ai ka thënë se nuk ka ikur nga raportimet e as nga përgjegjësitë që i ka si ministër.

Pacolli ka theksuar para anëtarëve të këtij komisionit se duke qenë ministër i një vendi që nuk është pjesë e OKB-së detyrohet të vrapojë e të realizoj takime kudo që i jepet mundësia duke mos përjashtuar edhe korridoret.

Sipas Pacollit, takimet e realizuara korridoreve të ndërtesës së Kombeve të Bashkuara nuk duhet të quhen  si takime të realizuara nëpër “skuta”.

Kryetarja e Komisionit, Vjosa Osmani, e ka kundërshtuar shefin e diplomacisë kosovare duke i bërë të qartë atij se ky komision i ka dërguar ftesë më shumë së gjashtë herë.

Osmani ka kritikuar punën e dikasterit që e udhëheq Pacolli duke iu referuar mostransparencës që kjo ministri e ka me komisionin parlamentar.

Ajo ka theksuar se shpreson që sugjerimet e dala nga ky komision të merren parasysh sidomos në vitin 2019.

/Epoka e re/

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bekim Shotani nuk do të jetë më trajner i skuadrës…